Shqyrtohen mundësitë e tejkalimit të mungesës së ujit në Gjilan

Prishtinë, 26.06.2019 - Gjilani së bashku me nivelin qëndror duhet  të fokusohen në zgjidhje afatgjate të çështjes së ujit të pijshëm, duke siguruar rezerva tjera shtesë të ujit.

Është hera e  katërt  që nga paslufta që Gjilani vjen në një situatë të tillë, kështu është shprehur ministri i Zhvillimit Ekonomik Valdrin LLuka gjatë tryezës  me temë “ Furnizimi afatgjatë i Gjilanit me ujë të pijshëm Shqyrtimi i Alternativave për Sigurimin e Burimeve të Ujit”, organizuar nga Komuna e  Gjilanit dhe Ujësjellësit Rajonal Hidromorava.

Me këtë rast Ministri Lluka  i shoqëruar nga Ministri i Mjedisit, Fatmir Matoshi, Kryetarin e Gjilanit  Lutfi Haziri dhe Kryeshefi i Ujësjellësit Rajonal Hidromorava,  Muhamed Suliqi  kanë vizituar Liqenin e Perlepnicës për të shikuar nga afër se si rezervat ujore janë zvogëluar kjo për shkak të mungesës së reshjeve.

Ministri Lluka ka pohuar se aktualisht janë duke u analizuar katër burime emergjente që mund të ndihmojnë në zgjidhjen e përkoshme të problemit, duke shtuar se Gjilani së bashku me nivelin qëndror duhen të fokusohen në zgjidhje afatgjate të këtij problemi.

“Sot është krizë ujore në Gjilan, para pak kohe kemi pasur krizë të tillë në Prishtinë. Ndërkohë, raporti i fundit i Bankës Botërore ka treguar qartë se Kosova ka vetëm 230 metër kub rezerva ujore për kokë banori, kurse vendet e rajonit me mbi 650 metër kub, kurse shtetet e zhvilluara të Evropës, rreth 1700 m3 për kokë banori”, është shprehur Ministri Lluka gjatë tryezës, duke shtuar se në bazë të këtij raporti, Qeveria e Kosovës, me ndihmën e Bankës Botërore, janë duke i trajtuar dy mundësi për investime siç janë  akumuluesi në Kamenicë dhe  akumuluesi në Suharekë.

Ndryshe, varësisht nga propozimet e kësaj tryeze Ministri Lluka, Ministri  Matoshi së bashku me  Kryetarin Haziri, janë zotuar për  të përkrahur rekomandimet e ekspertëve.
 

njoftim-per-diskutim-publik

KOSOVO IN UNESCO