SHGJK prezantoi projektin e përpilimit të Hartës Gejologjike të Kosovës

Prishtinë, 24.11.2017 - Shërbimi Gjeologjik i Kosovës  në bashkëpunim me ekspertë të  Fakultetit të  Gjeologjisë të Universitetit Politeknik në Tiranë, ka prezantuar sot projektin me titull “Përpilimi i  Hartës Gjeologjike të  Kosovës në shkallë:25 000’’ PLANSHETI ,,TREPÇA’’ K34-42 Bb.

 Me këtë rast, Shërbimi Gjeologjik i Kosovës dhe autorët shkencor nga Tirana, kanë vënë në pah perspektivën e zonës së hulumtimeve me mineralizime të reja në këtë pjesë.

Fidaim Sahiti, drejtor i Shërbimit Gjeologjik të Kosovës tha se Kosova ka një klimë shumë të përshtatshme për afarizëm dhe investime në sektorin minerarë, si edhe legjislacioni të përafruar me atë të Bashkimit Evropian.

“Studimet gjeologjike në përgjithësi  si proces iu paraprijnë lëmive tjera të industrisë dhe japin mundësi për të zgjeruar njohurit e veprimtarive shkencore-aplikative, që në instancë të fundit ndihmojnë zhvillimin ekonomik të vendit si dhe kanë ndikim të drejtpërdrejtë socio-ekonomik në shoqëri”, ka thënë kreu i SHGJK-së Fidaim Sahiti.

Sipas tij Kosova ka një gamë të gjerë të resurseve minerale me potencial të madh ekonomik dhe mundësi të zbulimeve të reja duke shfrytëzuar teknikat moderne të hulumtimit  siç posedon Shërbimi Gjeologjik i Kosovës, e cila është vlerësuar si e lartë.

"Ky burim i informatave dhe të dhënave të besueshme me një analizë shkencore bashkëkohore është roli kryesor i Shërbimin Gjeologjik të Kosovës dhe projekteve të tilla për tërheqjen e investimeve me rendësi kapitale”, ka thënë Sahiti.

Ibrahim Rexhepi këshilltar i lartë i ministrit të Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka, tha se ky projekt respektivisht hulumtimi është në kuadër të prioriteteve që ka Qeveria e Kosovës respektivisht MZHE.

 “ Ky projekt do të ketë impakt në zhvillimin ekonomik të vendit. Ofron të dhëna të sakta rreth resurseve minerare dhe si i tillë do të nxisë investitorët e huaj dhe vendorë për investime”, ka thënë Rexhepi.

Ndryshe, qëllimi i realizimin të këtij projekti, konsiston edhe në ngritjen e kapaciteteve njerëzore dhe atyre aplikative në përputhje me legjislacionin dhe Strategjinë  Minerare të Kosovës, duke zbatuar metodologji bashkëkohore me pajisje laboratorike të nivelit të lart, të cilat tani, veç i posedon Shërbimi Gjeologjik  i Kosovës.

Ky studim është i saktë për investuesit potencialë, të cilët kërkojnë burim të besueshëm të informatave relevante gjeoshkencore për investimet e kapitalit të tyre në Kosovë.

KOSOVO IN UNESCO