Ministri Lluka viziton minatorët e Trepçës

Prishtinë, 09.01.2019 - Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka i shoqëruar nga kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri ka vizituar sot minatorët e Trepçës të cilët kanë hyrë në grevë.

Gjatë takimit me Sindikatën e Trepçës dhe Këshillin grevist, ministri Lluka i ka njoftuar ata për të gjitha fazat e procesit të regjistrimit të Ndërmarrjes “Trepça SH.A”, duke i njoftuar kështu se në seancat e para të Kuvendit të Kosovës pas pushimit dimëror, të cilat priten të mbahen në fund të muajit janar, eventualisht në fillim të muajit shkurt, Statuti i ri i Trepçës do të procedohet për miratim në Kuvendin e Kosovës.

Miratimi i statutit të ri të Trepçës do t’i hapte rrugë regjistrimit të Ndërmarrjes si Ndërmarrje e re “Trepça Sh.A”, proces ky i cili do të përfundon menjëherë pas miratimit të Statutit nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

Regjistrimi si Ndërmarrje e re “Trepça Sh.A” do të hap perspektivën për konsolidimin e menaxhmentit, investimeve të reja në ndërmarrje, rritjen e prodhimit, krijimit të kushteve më të mira për punë etj.

Sa i përket kërkesave të minatorëve për rritje të pagave për 20% dhe shkarkimit të Bordit të Drejtorëve dhe Menaxhmentit të Ndërmarrjes (kërkesa të cilat kanë dalë sot nga Këshilli grevist dhe Sindikata e Trepçës), ministri Lluka ka kërkuar nga minatorët që të kenë konsideratë dhe të presin regjistrimin e Ndërmarrjes dhe konsolidimin e mirëfilltë të saj, si dhe të angazhohen në rritjen e kapaciteteve prodhuese në mënyre që Ndërmarrja të jetë profitabile dhe pastaj të shihet mundësia e realizimit të kërkesës se tyre për rritje të pagave nga Menaxhmenti i Ndërmarrjes, te cilët se bashku me Bordin e Drejtorëve janë përgjegjës për këtë vendim.

Duke sqaruar situatën e tanishme, Ministri shpjegoi që Qeveria nuk mund të bëj rritjen e pagave për  minatorët me taksa të qytetarëve të Republikës së Kosovës, pasi që aktualisht Ndërmarrja nuk ka qëndrueshmëri financiare dhe nuk ka qenë profitabile.

Ministri Lluka është zotuar para minatorëve se gjatë vitit 2019 zhvillimi i Ndërmarrjes Trepça Sh.A do të jetë prioritet i dikasterit të cilin e drejton, në mënyrë që Trepça të jetë një nga kontribuuesit kyç për zhvillimin ekonomik të vendit.
 

njoftim-per-diskutim-publik

KOSOVO IN UNESCO