Ministri Lluka: Komunat e mëdha do të kenë ngrohje qendrore 24 orë

Prishtinë, 31.10.2018 - Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, mori pjesë në konferencën  për tranzicionin e energjisë, “Sfidat dhe mundësitë në Kosovë dhe rajon” e organizuar nga “Balkan Green Foundation”. Si folës kryesor ministri Lluka prezantoi politikat dhe vendimet që ka marrë minsitria, ku njoftoi se përmes fondeve nga Bashkimi Evropian komunat e mëdha do të kenë ngrohje qendrore 24 orë.

Mministri Lluka para të pranishmëve, ndër ta ambasadorin gjerman Christian Heldt dhe përfaqësuesin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Ricardo Serri, tha se në vitet e ardhshme përmes fondeve nga BE do të mundësohet që komunat e mëdha të kenë nxemje qendrore 24 orë. Poashtu, Lluka potencoi se do të arrihet synimi që deri në vitin 2020, 25% e energjisë së konsumuar të vije nga burime e ripërtrishme kryesisht përmes teknologjive të ujit, erës dhe asaj diellore.

Kreu i MZHE-së tregoi se ndërtimi i termocentralit “Kosova e Re” do të ketë impakt të jashtëzakonshëm në ambient krahasuar me situatën në të cilën ndodhet sot vendi. 

“200 megavat energji termale shtesë për ngrohjen qendrore në regjionin e Prishtinës, mbi 40 % efiçiencë në operim, 39% me pak konsum të linjit se Kosova A, 25% me pak konsum të linjit se Kosova B, 10% me pak konsum të uijt se Kosova B dhe 20 herë më pak emetime të pluhurit, gjë që është një përmirsim enorm”, u shpreh Lluka .

Ministri Lluka tha se aktualisht është duke pritur që të aprovohet në parlament Ligji për Efiçencën e Energjisë, i cili vendos bazën ligjore për funksionalizimin e fondit për efiçiencën e energjisë si instrument shumë i rëndësishëm për aplikimin e masave mbrojtëse të efiçiencës, ku nga ky ligj do të përfitojnë një numër sektorësh, jo vetëm ai i energjisë, por edhe sektorë të tjerë si ndërtimtaria, institucionet bankare dhe industria.

Gjithashtu, Lluka foli edhe për integrimin e përbashkët energjetik në mes Kosovës dhe Shqipërisë, ku pritet që të themelohet bursa e përbashkët si dhe është duke u punuar në studimin për Gazsjellësin Shqipëri-Kosovë, ose ALKOGAP, i cili do të furnizohet nga infrastruktura e TAP(gazsjellësit Trans Adriatik), studim i cili do të prezantohet me 9 nëntor.
 

KOSOVO IN UNESCO