Bakija Deva ka marr pjesë në Takimin e 5-të Ministror mbi Mjedisin dhe Ndryshimet Klimatike në Ballkanin Perëndimor

 

Prishtinë, 18.12.2020 - Zëvendësministrja e Ekonomisë dhe Ambiebntit, Burbuqe Bakija Deva ka marr pjesë në Takimin e 5-të Ministror mbi Mjedisin dhe Ndryshimet Klimatike në Ballkanin Perëndimor.

 

Takimi ka për qëllim bashkëpunimin rajonal në fushën e mjedisit dhe ndryshimeve klimatike si dhe diskutimin e përparësive dhe sfidave të shteteve të rajonit.

 

Bakija Deva tha se megjithëse për arsye të ditura dhe kundër vullnetit të saj, Kosova ende nuk ka nënshkruar Konventën Kuadër të OKB për Ndryshimet Klimatike, Protokollin e Kiotos dhe Marrëveshjen e Parisit, por siç tha ajo Kosova mbetet fuqimisht e vendosur për të orientuar politikat e saj mjedisore dhe të ndryshimeve klimatike, në përputhje me strategjitë kryesore të zhvillimit rajonal të BE-së dhe Evropës Juglindore dhe arritjen e qëllimeve kryesore të identifikuara nga Deklarata e Bonit dhe Agjendën e Gjelbër, duke pasur gjithashtu përgjegjësinë globale për t'iu përgjigjur kërkesave të lidhura si palë nënshkruese e Traktatit të Komunitetit të Energjisë.

 

“Ne synojmë jo vetëm që të marrim pjesë aktive në ndërtimin dhe përcaktimin e strategjive të tilla, por përmes popullatës sonë të re dhe të arsimuar të kontribuojmë thelbësisht në zhvillimin e ideve, propozimeve dhe iniciativave të reja”, tha Bakija Deva.

 

Ajo tha se prioriteti i Kosovës është përmirësimi i menaxhimit efikas të burimeve ujore, në të gjitha përdorimet, si dhe trajtimi dhe reciklimi i ujërave të ndotura në bujqësi dhe industri.

 

“Sidoqoftë, duke marrë parasysh rrjedhën e lumenjve që shkojnë nga Kosova në vendet fqinje, ne besojmë se një program rajonal për menaxhimin e burimeve ujore, është një hap i domosdoshëm duke marrë parasysh efektet e ndryshimeve klimatike në të gjithë rajonin”, tha Bakija Deva.

 

Bakija Deva deklaroi se për të ndjekur zbatimin e rekomandimeve të Marrëveshjes së Parisit dhe të Deklaratës së Bonit dhe Agjendës se Gjelbër, kërkohen shuma të mëdha të mbështetjes financiare. Fatkeqësisht, buxheti i Kosovës është i kufizuar dhe nuk mund të mbështesë sa duhet zbatimin e acquis mjedisore.

 

“Kjo është arsyeja pse është me përparësi të lartë që Rajoni e ne veçanti Kosova te këtë mbështetjen e Mekanizmave Financiar Global që mbështesin sektorin e mjedisit dhe ndryshimeve klimatike që kanë nevojë për një qasje të veçantë, si dhe për të forcuar më tej bashkëpunimin tashmë të shkëlqyeshëm me vendet fqinje”, tha Bakija Deva.
njoftim-per-diskutim-publik

KOSOVO IN UNESCO